Ndërlidhjet

Enciklopedia rrezikon raportet ndëretnike


Pamje në Shkup
Pamje në Shkup
Intelektualët, subjektet politike shqiptare, që kundërshtojnë ashpër enciklopedinë e promovuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve maqedonase, thonë se ky botim, përveç se fyen shqiptarët në aspektin etnik, tensionon marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni.

Por, përderisa kryeministri Nikolla Gruevski nuk distancohet nga përmbajtja e saj, opozita maqedonase ka alarmuar se enciklopedia dukshëm ndikon në ftohjen e marrëdhënieve ndëretnike.

Zëvendëskryeministri Abdylhaqim Ademi deklaroi për Radion Evropa e Lirë se enciklopedia, e cila përmban ofendime ndaj shqiptarëve dhe personaliteteve publike shqiptare, reflektohet tepër negativisht ndaj raporteve midis maqedonasve dhe shqiptarëve.
Përmbajtje të tilla fyese për popullin shqiptar dhe për personalitete publike këtu në Maqedoni, rrezikojnë marrëdhëniet ndëretnike jo vetëm mes shqiptarëve dhe maqedonasve, por rrezikojnë edhe marrëdhëniet ndërshtetërore...

“Tekste të tilla, përmbajtje të tilla fyese për popullin shqiptar dhe për personalitete publike këtu në Maqedoni, rrezikojnë marrëdhëniet ndëretnike jo vetëm mes shqiptarëve dhe maqedonasve, por rrezikojnë edhe marrëdhëniet ndërshtetërore midis Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës”.

“Gjithashtu prishin edhe imazhin ndërkombëtar të Maqedonisë karshi faktorit ndërkombëtar, sepse aty ka përmbajtje, të cilat janë kryekëput dezinformata dhe trillime. Konsideroj se kjo është një marrëzi e Akademisë”,
tha Ademi.

Por, me gjithë reagimet negative ndaj kësaj enciklopedie dhe paralajmërimit të pasojave që i shkakton e njëjta në planin ndëretnik, kryeministri Nikolla Gruevski ka deklaruar se nuk mban kurrfarë përgjegjësie lidhur me përmbajtjen e saj.

Zëdhënësi i Qeverisë, Martin Martinovski, deklaroi se lidhur me kërkesat e partive politike shqiptare për tërheqjen e enciklopedisë, mbetet në qëndrimin se kompetente dhe përgjegjëse lidhur me përmbajtjen mbetet Akademia e Shkencave dhe Arteve maqedonase.

“Qeveria as nuk ka pasur mundësi të ketë pasur njohuri lidhur me përmbajtjen dhe as që është kërkuar nga ajo ta bëjë një gjë të tillë”,
tha Martinovski.

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Andrej Petrov, paralajmëroi se enciklopedia ndikon tepër negativisht në marrëdhëniet ndëretnike në vend.
Është më shumë se e qartë se ndodhitë e këtilla të papërgjegjshme nga një punë joserioze mund të bëhen ngjarje serioze...

“Është më shumë se e qartë se ndodhitë e këtilla të papërgjegjshme nga një punë joserioze mund të bëhen ngjarje serioze, të cilat çdo politikan i përgjegjshëm duhet t’i parandalojë e jo t’i nxisë”,
tha Petrov, i cili duke komentuar kërkesën e Partisë Demokratike Shqiptare për krijimin e një akademie të shqiptarëve, u shpreh se krijimi i institucioneve paralele është veprim i gabuar dhe nuk është mënyrë për zgjidhjen e problemeve.

Ndërsa, profesori në Universitetin e Evropës Juglindore, Jeton Shasivari, tha se kjo enciklopedi do t’i tensionojë shumë marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni.

“Përmbajtjet shoviniste dhe fashizoide për shqiptarët do të trazojnë raportet ndëretnike në vend, të cilat edhe ashtu, kohëve të fundit, janë të luhatura, si pasojë e diskriminimit të vazhdueshëm institucional ndaj shqiptarëve”.

“Meqenëse kjo enciklopedi është financuar nga buxheti i shtetit dhe meqë personalisht kryeministri Gruevski e promovoi atë, nevojiten veprime konkrete dhe energjike politike për tërheqjen e këtij botimi”,
u shpreh Shasivari.

Politikanët, intelektualët dhe shoqëria civile shqiptare kanë vlerësuar se përmbajtja e enciklopedisë maqedonase mund të prodhojë edhe konflikt mes dy komuniteteve më të mëdha etnike.

Në të, midis tjerash, thuhet se shqiptarët në Maqedoni janë shpërngulur në shekullin e 16-të dhe se disa popuj të Ballkanit ata i quajnë edhe njerëz malorë, ndërsa Shqipëria është krijuar në vitin 1944 nga Gjermania naziste.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG