Zhvillimi i veprimtarisë së disa ndërmarrjeve private në Kosovë po kushtëzohet nga vendosja e raporteve me partitë politike, e konkretisht me partinë e cila është në pushtet; në të kundërtën, ndërmarrjet mund edhe të falimentojnë.
Kështu vlerësojnë disa njohës të çështjeve ekonomike dhe deputetë në Kuvendin e Kosovës, sipas të cilëve, kompani të caktuara private në Kosovë kontrollohen nga politika.
Shpend Ahmeti, nga Instituti për Studime të Avancuara “GAP”, nuk e konsideron të çuditshëm faktin që politika të ketë lidhje me biznesin, pasi, thotë ai, financimi i partive politike zakonisht bëhet nga biznesi. Por, ai thotë se kjo çështje në Kosovë nuk është transparente.
“U dërgohet mesazh i qartë bizneseve se e vetmja mënyrë për të pasur përfitime apo për të funksionuar normal, është duke i ndihmuar apo duke i financuar partitë e ndryshme politike. Bizneset e mëdha në Kosovë e kanë të qartë këtë mesazh. Kjo është ajo ideja kryesore, e cila i lidh apo i shtyn lëvizjet në këtë drejtim – biznes politik”, thotë Ahmeti.
Në anën tjetër, Myzejene Selmani, kryetare e Komisionit për Tregti dhe Industri në Kuvendin e Kosovës, pohon se tashmë po vërehet haptas prania e lidhjeve të dyshimta të biznesit dhe politikës. Ajo thotë se bizneset në Kosovë janë ngulfatur nga politika, e konkretisht, siç shprehet, nga Qeveria.
“Te sektori privat, unë nuk e di se çfarë ka ngelur pa u vënë nën kompetencat e Qeverisë. Janë derivatet e naftës, të cilat janë në kontroll të plotë prej politikës, që është shumë e rëndë. Bizneset kosovare janë ngulfatur prej politikës; asnjë biznes nuk mund të zhvillohet nëse politika nuk i ka duart aty”, vlerëson Selmani.
Edhe Driton Tali, deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës, konsideron se politika është e involvuar në biznes tej mase. Në kompanitë e derivateve të naftës dhe në ndërmarrjet ndërtimore, Tali pohon se më së tepërmi ka lidhje politika. Ai thotë se Qeveria është faktori kryesor për zhvillimin e këtyre ndërmarrjeve.
“Pothuajse shumica e ndërmarrjeve të mëdha tregtare kanë njëfarë lidhjeje magjike me Qeverinë, mbase është edhe e rastit. Disi ministrat përgjegjës janë shumë të afërt me ndërmarrësit në fjalë”.
“Ndërsa, po them edhe një herë, ndërmarrjet ndërtimore e kanë parakusht të jenë afër me Qeverinë, përndryshe nuk mund të marrin tender, qoftë në ndërtimin e institucioneve shkollore, ndërtesave të ndryshme, rrugëve, urave etj.”, shprehet Tali.
Mundësinë e ndërhyrjes së partive politike në komunitetin e biznesit privat nuk e përjashtojnë as përfaqësues të Konfederatës së Sindikatave të Lira të Kosovës. Ali Dragusha, nga kjo konfederatë, thotë se mundësitë për hulumtim të kësaj dukurie nuk ekzistojnë, por, megjithatë, ai dyshon në lidhjet në mes sektorit privat dhe partive politike.
“Personalisht mendoj dhe shumë dyshoj se është evidente që edhe disa segmente të sektorit privat kontrollohen edhe nga politika”, shprehet Dragusha.
Por, ndryshe mendon Mejdi Bektashi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës. Ai thotë se janë kompanitë private ato që vetë iu ofrohen partive politike, e posaçërisht Qeverisë.
“Për firmat e vogla, unë besoj se ato janë shumë të vogla për t’u përdorur, por mund të ketë ndonjë firmë që i ofrohet vetë Qeverisë. Ato shpeshherë janë me të gjitha qeveritë që vijnë në pushtet. Ajo ndodh në Kosovë, por edhe gjithkund në botë”, thekson Bektashi.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, kategorikisht hedh poshtë akuzat se Qeveria ka lidhje në komunitetin e biznesit. Ai thotë se Qeveria ka krijuar ambient të përshtatshëm për zhvillimin e veprimtarive të tyre dhe në asnjë mënyrë dhe në asnjë kompani, siç thotë ai, nuk ka interesa të caktuara. Madje, ai i quan qesharake akuzat.
“Këto thjesht janë akuza qesharake dhe i bëjnë njerëzit që nuk njohin çështjet ekonomike. Thjesht, i bëjnë në mënyrë joparimore, vetëm sa për të akuzuar Qeverinë. Si mund të ngulfatet biznesi prej një qeverie, e cila i ka lehtësuar taksat, e cila i ka ulur tatimet përgjysmë, e cila me këtë ka krijuar mundësi që shumat e fitimeve të tyre t’i kenë më të mëdha”, thotë Krasniqi.