Ekspertë të çështjeve juridike dhe përfaqësues të punëtorëve konsiderojnë se kontrata kolektive, e cila në vitin 2005 ishte arritur me miratimin e qeverisë, të përfaqësuesve të punëdhënësve dhe të punëtorëve, të përfshirë në një këshill social, nuk ka gjetur zbatim, pikërisht për shkak të, siç thuhet, mosmbështetjes politike nga qeveria e kaluar dhe nga kjo qeveri.
Eksperti për çështje juridike, Kujtim Kërveshi, shpreh bindjen se nëse do të kishte angazhim më të madh nga autoritetet vendore, ky proces do të ndërtohej si duhet, pasi që, siç thotë ai, nuk është i vështirë të realizohet, sidomos tani kur Kosova është shtet i pavarur.
“Institucionet e Kosovës duhet të kenë kujdes që të mos motivojnë ndarjen e strukturave të punëtorëve. Ata duhet të motivojnë dhe të bëjnë rregullimin e strukturave që mbrojnë të drejtat e punëtorëve në bizneset private. Biznesi privat dhe ai publik janë çdo ditë shkelës të kontratave të punës”, thotë zoti Kërveshi.
Ai thekson se moszbatimi i kontratës së përgjithshme kolektive nuk është vetëm mungesë e infrastrukturës ligjore, por edhe e mekanizmave shtetërorë, ku, sipas tij, institucionet relevante nuk janë të koordinuara si duhet për të realizuar suksese.
“Autoritetet kosovare duhet të kenë parasysh që paqja sociale, dialogu social, funksionalizimi i këshillit social, duhet të ndodhin sa më parë. Institucionet vendore dhe biznesi kosovar nuk duhet të ndikojnë në prishjen e stabilitetit social në Kosovë, së paku për atë shkallë që e kemi sot në Kosovë”, shprehet zoti Kërveshi.
Nënshkrimi i kontratës kolektive si një akt juridik, i cili rregullon raportet mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, ishte arritur pas një paralajmërimi të Bashkimit të Sindikatave për organizimin e një greve të përgjithshme, në rast të mosfuqizimit të kontratës kolektive.
Shukrije Rexhepi, zyrtare e BSPK-së, thotë se një kontratë e tillë ka mbetur vetëm në letër. Madje, kjo çështje, sipas saj, duket se është harruar nga qeveritarët.
“Që nga paslufta, klasa punëtore në Kosovë ka qenë ajo, e cila është neglizhuar nga Qeveria e Kosovës. Shumë punëtorëve iu shkelen të drejtat elementare, duke filluar nga pushimi vjetor, pushimi i lehonisë dhe shumë të drejta të tjera, të cilat janë të rregulluara me kontratë kolektive”, pohon zonja Rexhepi.
Sidoqoftë, ajo thotë se punëtorët kosovarë vazhdojnë të mos kenë kurrfarë mbrojtjeje dhe sigurie në vendet e tyre të punës. Gjendjen e punëtorëve, shton zonja Rexhepi, e rëndon më tej edhe mungesa e Ligjit të punës, i cili ende nuk është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
“Qeveria e Kosovës gjithë këtë enigmë do të mund ta zgjidhte me formimin e një fondi social, ku nuk do të ngarkohej as qeveria dhe as një ministri tjetër”, thotë Rexhepi.
Këshilli Ekonomiko-Social, i cili është përgjegjës për hartimin e politikave të qëndrueshme të punësimit dhe të garantimit të mirëqenies sociale, në mbledhjen e tij të fundit kishte marrë vendim që brenda një kohe të shkurtër të dilet me rekomandimet për kontratën kolektive në Kosovë.
Lidhur me ketë çështje, ndonëse të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk kanë dashur të prononcohen.
Ndryshe, kontrata e përgjithshme kolektive përcakton themelimin e marrëdhënies së punës, të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë e punëdhënësit dhe punëmarrësit, orarin e punës, punën e natës, pushimin vjetor, atë të lehonisë, sigurinë në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarit dhe mbrojtjen e ambientit të punës.