Marrja e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian varet nga rezultatet e arritura. Kështu deklaroi Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oli Ren, duke shtuar se nuk do të ndryshojnë kushtet për Maqedoninë.
“Ekzistojnë gjasa reale që të përmbushen parakushtet dhe të meret data për negociata, por kjo varet nga përmbushja e obligimeve dhe rezultatet e arritura në dy muajt e ardhshëm”, tha Ren.
Ai pohoi se është i impresionuar nga shpejtësia dhe cilësia e reformave të zbatuara për liberalizimin e vizave.
“Vullneti i njëjtë politik mund t’u shpie deri te përmbushja e parakushteve për marrjen e datës për negociata. Listën e detyrave të mbetura e keni të njohur dhe koha është e shkurtër për plotesimin e tyre”.
“Keni dy muaj që ta kompletoni listën. Duhet të miratohen disa ligje kyçe - Ligji për Kuvendin, të miratohen ndryshimet në Ligjin e administratës publike dhe të ndryshohet Ligji për financimin e partive politike”, deklaroi Ren.
Ren bëri të ditur se Bashkimi Evropian i përshëndet angazhimet e reja të ndërmjetësit të Kombeve të Bashkuara, Metju Nimic, për arritjen e zgjidhjes rreth kontestit për emrin.
“Tani është me rëndësi që të shfrytëzohet përparimi në bisedimet me ndërmjetësim të Kombeve të Bashkuara dhe Metju Nimicit dhe të arrihet zgjidhje. Sipas meje, ekziston mundësia që duhet të shfrytezohet që kjo çështje përfundimisht të zgjidhet”, tha Ren, për të shtuar:
“Sipas pikëpamjeve të Komisionit Evropian, mundësia që të fillojnë negociatat për anëtaresim në Bashkimin Evropian nuk varet nga zgjidhja e çështjes së emrit, pasi ajo është çështje dypalëshe. Por, të gjithë e dimë se që të fillojnë negociatat, nevojitet pajtueshmëri nga të gjitha 27 anëtaret e Bashkimit Evropian. Komisioni do t'i shqyrtojë rekomandimet në bazë të përmbushjes së kritereve”, theksoi Ren.
Ndërkaq, kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, pas takimit me Oli Renin, deklaroi se Maqedonia mbetet e përkushtuar që të kërkojë zgjidhje për problemin e emrit me Greqinë.
Gruevski tha se Qeveria në periudhën e ardhshme do të fokusohet në përmbushjen e të gjitha kritereve që kërkohen nga Bashkimi Evropian.
“Sipas tetë parakushteve që Komisioni Evropian i kërkoi nga Maqedonia në maj të vitit të kaluar, nga vendi pritet zbatimi i të gjitha obligimeve të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim, të ketë dialog midis partive politike, të zbatohet Ligji i policisë, të arrihen rezultate në luftën kundër korrupsionit, të zbatohen reformat në gjyqësor dhe administratën publike dhe të zbatohen masat për përmirësimin e papunësisë dhe klimës së biznesit”, deklaroi Gruevski.