Takimi i thirrur nga Lëvizja Socialiste për Integrim si një iniciativë për bashkimin e së majtës, nuk prodhoi asgjë të re. Në tryezë, siç edhe pritej, munguan përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj.
Por, ajo çfarë ra në sy, ishte ulja në tryezë e liderit historik të së majtës, Fatos Nano, me kreun e LSI-së, Ilir Meta, të cilët u ndanë për arsye që i konsideruan parimore në vitin 2005. Këto zgjedhje shënuan dhe daljen e Partisë Socialiste në opozitë pas 8 vjet qeverisjeje.
Nano dhe Meta deklaruan se kanë si qëllim të vetëm bashkimin e opozitës dhe largimin e Sali Berishës nga pushteti. Meta, në cilësinë e organizatorit të takimit, tha se pavarësisht mungesës në takim, ftesa drejtuar kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, mbetet e hapur.
“Dua të konfirmoj dhe një herë tjetër vullnetin tim dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim për të bashkëpunuar, në radhë të parë, për mbrojtjen e standardeve të zgjedhjeve më 28 qershor, pasi këto standarde janë seriozisht të rrezikuara nga qeveria aktuale dhe kryeministri në largim, zoti Berisha, dhe së dyti, edhe për të krijuar një frymë sa më optimiste përmes një koordinimi të të gjitha forcave dhe faktorëve të majtë për fitoren sa më bindëse dhe më të sigurt të opozitës në tërësi dhe të së majtës progresiste në zgjedhjet e 28 qershorit".
"Është një ftesë, e cila mbetet e hapur dhe shpresojmë që të gjithë të reflektojnë dhe të kuptojnë se e majta e ka pasur forcën e saj tek integrimi dhe jo tek përjashtimi”, deklaroi Meta.
Për ish-kryetarin e Partisë Socialiste, Fatos Nano, largimi i Berishës nga pushteti duhet të dominojë mbi çdo interes tjetër politik.
“Mungesat në këtë tryezë me sa duket lidhen me një histori të qartë dhe të strukturuar që mban të përçarë të majtën. Më në fund, desha të theksoj në mënyrë të veçantë se nuk i kam ndërprerë takimet me socialistët dhe mesazhi shqetësues që vjen nga të katër anët e territorit zgjedhor të Shqipërisë, është pikërisht mbështetja dhe çuarja përpara e kësaj fryme dhe e këtij bashkëpunimi mes liderëve të së majtës".
"Pra, unë jam këtu edhe në emër të socialistëve dhe shpresoj se liderët e radhës do të kuptojnë përpara dhe pas 28 qershorit që nuk mund të ndërtohet një karrierë në përçarje, nuk mund të ndërtohet asnjë e mirë për vendin në gjendjen e foshnjërisë së sotme politike”, u shpreh Nano.
Për bashkim të së majtës apeloi edhe kreu i Partisë së Socialistëve të Vërtetë PSV 91, Petro Koçi.
Takimi u kurorëzua me nënshkrimin e një deklarate të përbashkët, që, sikundër shkruhet, ka si qëllim final fitoren e së majtës në zgjedhjet e 28 qershorit. Nënshkruesit angazhohen të japin kontribut në ndërprerjen e diversionit brenda së majtës dhe krijimin e një fryme bashkëpunimi.