Ndërlidhjet

Në KSHZ dorëzohen kandidaturat presidenciale


Në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, kandidaturat e tyre për zgjedhjet presidenciale i kanë dorëzuar edhe tre kandidatë të tjerë - Mirushe Hoxha, nga Partia Demokratike Shqiptare, Nano Ruzhin, nga Partia Liberal-demokrate, dhe kandidati presidencial i Lidhjes Social-demokrate dhe Partisë së Re Social-demokrate, Lubomir Fërçkovski.

Kandidatja e PDSH-së për presidente, Mirushe Hoxha, tha se subjekti, të cilin përfaqëson ajo, është i orientuar për zgjedhje korrekte dhe demokratike.

"Sapo dorëzuam dokumentacionin e kandidaturës dhe tani presim 48-orëshin për konfirmimin e kandidaturës. PDSH-ja gjithmonë ka qenë e orientuar dhe mbetet e orientuar për procese fer dhe demokratike. Mund të presin procese progresive në këtë shoqëri, tejkalimin e keqkuptimeve, moskuptimeve, ndasive, të cilat janë duke ndodhur në këtë shoqëri", tha Hoxha.

Dokumentacionin e kandidaturës së kandidatit të LSDM-së dhe PRSD-së, Lubomir Fërçkovski, e dorëzoi përfaqësuesi i tij i autorizuar, Gjyner Ismail, i cili tha se opozita ka një kundërkandidat, duke aluduar në kandidatin e VMRO – DPMNE-së, Gjorgji Ivanov.

"Këto nuk janë zgjedhje të thjeshta. Këto zgjedhje duhet të jenë kthesë. Këtu jam në emër të 15 mijë qytetarëve, me miqtë e mi të LSDM-së dhe PRSD-së, të cilët së bashku me 15 mijë qytetarët që dhanë firmën, janë pjesa më e shqetësuar e këtij vendi", u shpreh Ismail.

Ndërsa, kandidati i Partisë Liberal-demokrate, Nano Ruzhin, shpreson që rreth tij të bashkohen qytetarët që u takojnë partive të ndryshme politike.

"Në horoskop jam luan, ndërsa shenjë mbrojtëse kam diellin. Pres që deri më 22 mars, dielli të shkëlqejë edhe më tepër sesa sot dhe të mundësojë që t'i shoqërojmë dhe bashkojmë qytetarët në rrugën tonë për në BE dhe NATO”, tha Ruzhin.

Kandidaturat e tyre presidenciale të enjten do t’i dorëzojnë Imer Selmani nga Demokracia e Re dhe kandidati i VMRO-DPMNE-së, Gjorgje Ivanov, ndërsa kandidaturën tanimë e ka dorëzuar kandidati i pavarur, Lube Boshkovski.

Me dorëzimin e kandidaturave të Selmanit dhe Ivanovit rrumbullakohet procesi i të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhjet presidenciale të 22 marsit.

Anketa e zhvilluar nga Agjencia per Hulumtimin e Opinionit Publik "Rejting" bëri të ditur se nëse zgjedhjet presidenciale do të mbaheshin tani, më së shumti vota do të kishin fituar kandidati i VMRO-DPMNE-së, Gjorgji Ivanov, dhe ai i LSDM-së, Lubomir Fërçkovski.

Në pyetjen se për cilin kandidat do të kishit votuar sikur zgjedhjet të mbaheshin tani, 27 për qind e të anketuarve kanë thënë se votën e tyre do t'ia jepnin Gjorgji Ivanovit, 13 për qind Lubomir Fërçkovskit, 10 për qind kandidatit të pavarur, Lube Boshkovskit, 9 për qind kandidatit të Demokracisë së Re, Imer Selmani, 5 për qind kandidatit të BDI-së, Agron Buxhaku, 3 për qind kandidatit të Partisë Liberal-demokrate, Nano Ruzhin, po aq sa edhe kandidates së PDSH-së, Mirushe Hoxha.

Anketa tregon se 23 për qind e të anketuarve ende nuk kanë vendosur se kujt do t'ia japin votën, ndërsa vetëm 7 për qind janë shprehur se nuk e kanë ndërmend të votojnë fare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG