Ndërlidhjet

10 shkurti, ende pa përgjegjës


Foto arkiv
Foto arkiv

Zyrtarë të UNMIK-ut thonë se po vazhdojnë hetimet për rastin e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit - të vrarë gjatë protestës së 10 shkurtit, 2007. “Vetëvendosja” akuzon institucionet vendore e ndërkombëtare për ngecje në ndriçimin e rastit.


Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur të dështuar sistemin e drejtësisë në Kosovë, si dhe ka akuzuar institucionet kosovare dhe administratën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, të cilat, sipas kësaj lëvizjeje, janë treguar neglizhente ndaj ndriçimit të rrethanave të vdekjes së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit.

Këta të fundit kishin humbur jetën gjatë një proteste të Lëvizjes Vetëvendosje, më 10 shkurt të vitit 2007, ku, sipas të dhënave të UNMIK-ut, ishin qëlluar nga pjesëtarë të kontingjentit rumun të policisë së UNMIK-ut.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se institucionet përgjegjëse nuk kanë marrë asnjë hap për të vënë para drejtësisë njerëzit përgjegjës për vdekjen e Balajt e Xheladinit.

Albin Kurti

"Nuk mund të thuhet se sistemi i drejtësisë ka dështuar, për shkak se ai as që ka provuar e as që ka tentuar të zbatojë drejtësi për demonstratën e 10 shkurtit. UNMIK-u nuk do që të zbardhet e vërteta, sepse do të zbuloheshin edhe krerët e UNMIK-ut si urdhërdhënës të këtij krimi",
tha Kurti.


Protesta e 10 shkurtit të 2007-ës kishte rezultuar me dy persona të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të lënduar, ndërkohë, zyrtarë të UNMIK-ut, disa ditë pas protestës, kishin publikuar vlerësimet e para të hetimeve, sipas të cilave, pjesëtarë rumunë kishin qëlluar me plumba gome protestuesit.

Ata ishin zotuar se Kombet e Bashkuara do ta trajtonin këtë çështje deri në vënien para drejtësisë të personave përgjegjës. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Russel Geekie, thotë se rasti Balaj e Xheladini nuk është mbyllur, por se vazhdon të trajtohet në New York.

"Më sa jam i informuar, rasti është duke u shqyrtuar në selinë e Kombeve të Bashkuara në New Jork", tha Geekie.

Organizatat joqeveritare ndërkombëtare dhe vendore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e kanë quajtur shqetësues faktin që edhe dy vite pas protestës, nuk janë gjykuar personat përgjegjës me rastin e vdekjes së dy protestuesve.

Organizata "Amnesty International" ka kërkuar dënimin e fajtorëve të vrasjes së dy të rinjve shqiptarë, më 10 shkurt të 2007-ës, derisa autoritetet kosovare i ka kritikuar për shkak se nuk kanë bërë një hetim të pavarur për këtë ngjarje.

Ndërkaq, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, përmes një letre dërguar krerëve të vendit, përfaqësuesve të misioneve ndërkombëtare në vend si dhe organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, ka sugjeruar që t’u kërkohet autoriteteve rumune hetimi i policëve rumunë, të dyshuar për vrasjen e dy protestuesve.

Përfaqësuesi i KMLDNJ-ja, Behxhet Shala, sqaron pikëpamjen e organizatës për këtë çështje.

"Është dashur të bëhet një lëvizje dhe të kërkohet nga Qeveria rumune, ndonëse Kosova nuk ka marrëdhënie diplomatike, sepse nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, që ata policë të sillen para organeve të drejtësisë", tha Shala.

Për të shënuar dyvjetorin e vdekjes së Balajt dhe Xheladinit janë organizuar një varg manifestimesh nga Lëvizja Vetëvendosje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG