Ndërlidhjet

Qeveria nuk rrezikon përdorimin e gjuhës shqipe në Shkup


Shkup
Shkup

Ministri i Pushtetit Lokal, Musa Xhaferi, hedh poshtë pohimet e kreut të qytetit të Shkupit, Trifun Kostovski, se qeveria po shqyrton propozimin e tij për shkëputjen e tri komunave nga kryeqyteti, gjë që rrezikon përdorimin zyrtar të shqipes në nivel të Shkupit. Xhaferi mohon se janë duke u përgatitur ndryshime ligjore për këtë qëllim. Ndërkohë, Kostovski thotë se shkëputja e komunave nuk rrezikon gjuhën shqipe, pasi përdorimi i saj do të garantohet me ndryshimet e Ligjit për organizim territorial.


Ministri i Pushtetit Lokal, Musa Xhaferi, përgënjeshtron se qeveria është duke shqyrtuar propozimin e kryetarit të qytetit të Shkupit, Trifun Kostovski, për shkëputjen e disa komunave rurale nga qyteti i Shkupit, me çka do të rrezikohej numri i shqiptarëve në kryeqytet prej 20 %, që do të garantonte përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në nivel të Shkupit.

“Qeveria nuk ka angazhuar asnjë ministri, asnjë ministër deri tash që të përgatisë ligj për qytetin e Shkupit, gjegjësisht për organizimin territorial të Shkupit. Pastaj, vetëm ka një kërkesë apo propozim nga kryetari i Shkupit, Trifun Kostovski, se si ai mendon se duhet të duket organizmi territorial i qytetit të Shkupit dhe propozime të tjera. Kjo është e vërteta deri tash”, tha ministri Xhaferi.

Nga ana tjetër, kryetari i qytetit të Shkupit, Trifun Kostovski, pohon se me propozimin e tij për shkëputjen e tri komunave nga qyteti i Shkupit, ajo e Sarajit, Shuto Orizares dhe Butelit, edhe pse do të ulet 20 përqindëshi i popullatës shqiptare, përdorimi i gjuhës shqipe do të garantohet me ndryshimet e Ligjit për organizim territorial.

“Meqë gjuha në vitin 2004 ishte arsyeja që Shkupi u zgjerua me territore që asnjëherë nuk i kanë takuar, e as që sot mund të jenë pjesë e tij, thjesht propozuam të përmirësohet organizimi territorial i qytetit të Shkupit dhe pjesë e tij të bëhen vetëm lagjet urbane. Ndërsa, Shuto Orizarja, Buteli dhe Saraji të mos jenë pjesë e qytetit të Shkupit, pasi e dëmtojnë funksionimin e tij”, tha Kostovski.

Sipas Ligjit për organizimin territorial të vendit, gjuha shqipe mund të përdoret në nivel të kryeqytetit nëse shqiptarët përbëjnë së paku 20 për qind të popullatës, ndërsa me këtë propozim do të ulej kjo përqindje, pasi një pjesë e konsiderueshme e popullatës shqiptare jeton në komunat Saraj, Shuto Orizare dhe Butel.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG