Ndërlidhjet

Maqedonasit kundër propozimit për emrin, shqiptarët kërkojnë zgjidhje


Ekspertët maqedonas mbështesin refuzimin që kreu i shtetit i bëri propozimit të fundit të ndërmjetësit Nimic, që Maqedonia të quhet Republika e Maqedonisë veriore, ndërsa maqedonasit të quhen qytetarë që i takojnë Maqedonisë së veriut. Sipas tyre, ky propozim cenon identitetin kombëtar maqedonas. Por, intelektualët shqiptarë thonë se kreu shtetëror duhet të përcaktohet për një zgjidhje, meqë pa të, vendi nuk mund të anëtarësohet në BE dhe në NATO.

- - - - -

Ekspertët maqedonas vlerësojnë pozitivisht qëndrimin e presidentit të shtetit, Branko Cërvenkovski, dhe kryeministrit Nikolla Gruevski, të cilët hodhën poshtë propozimin e fundit të ndërmjetësit Metju Nimic, sipas të cilit, vendi do të quhej Republika e Maqedonisë veriore, ndërsa për identitetin do të përdorej formulimi qytetarë, përkatësisht kombi i Republikës së Maqedonisë veriore.

“Nëse nuk saktësohet qartë gjuha maqedonase dhe kombi maqedonas, i tërë propozimi natyrisht se nuk është i pranueshëm për Maqedoninë dhe për këtë çështje nuk diskutohet. Ne nuk mund ta pranojmë identitetin e maqedonasve të veriut, andaj ky duhet të jetë parimi, sipas të cilit, duhet të analizojmë pranimin ose jo të propozimeve nga ndërmjetësi ndërkombëtar, Metju Nimic”, tha Lubomir Fërçkovski, ish-ministër i Jashtëm, duke shtuar se emri Republika e Maqedonisë veriore nuk është edhe aq kontestues nëse sigurohet mbrojtja e identitetit maqedonas.

Përkundër Fërçkovskit, ish-ambasadori Risto Nikovski e hedh poshtë si absolutisht të papranueshëm emrin Maqedonia veriore si bazë për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Disa analistë tanë theksuan se emri Maqedonia e veriut është i pranueshëm dhe ne do të quhemi maqedonas. Por, u pa se ne do të jemi maqedonas të veriut dhe ne nuk jemi të tillë”, tha Nikovski.

Ndërsa, nënkryetari i Shoqatës së historianëve shqiptarë, Skënder Hasani, deklaroi se elita politike maqedonase, meqë nuk pranon këtë propozim të Nimicit, duhet të tregojë se cila është alternativa për zgjidhjen e çështjes së emrit.

“Kryetari i shtetit, Cërvenkovski, dhe kryeministri Gruevski duhet të lënë anash folklorizmat politikë, ndërsa lidershipi maqedonas nuk duhet të lë anash faktorin politik maqedonas, meqë këtë çështje e trajton si çështje ekskluzive maqedonase, sepse dihet mirë se shqiptarët në 90 për qind janë përcaktuar për integrimin e Maqedonisë në institucionet euroatlantike, ndërsa çështja e emrit është kusht për integrimin në këto institucione”, tha zoti Hasani, për të konstatuar se shqiptarët kanë pasur qasje konstruktive ndaj zgjidhjes së çështjes së emrit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG