Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë veri-perëndimore, Xhemali Dauti, deklaroi se bashkëpunimi ekonomik midis Maqedonisë dhe Kosovës duhet të intensifikohet dhe vlerëson se janë objektive kritikat e Odës Ekonomike të Kosovës se shkëmbimi tregtar midis Kosovës dhe Maqedonisë është tejet i disbalancuar.
Sipas tij, bashkëpunimi ekonomik do të jetë më i thellë nëse Shkupi zyrtar e njeh Kosovën e pavarur.
“Maqedonia sa më shpejt duhet ta njohë Kosovën, me qëllim që të ketë një lëvizje më të madhe të mallrave dhe kapitalit mes dy vendeve dhe të nënshkruhen marrëveshjet dypalëshe ndërshtetërore për mbrojtjen e investimeve, të kapitalit dhe pronësive, si dhe të afirmohet marrëveshja për tregti të lirë mes Maqedonisë dhe Kosovës”, tha zoti Dauti, duke konstatuar se ekonomia kosovare duhet të angazhohet më tepër për afirmimin e produkteve, të cilat do të importoheshin nga ana e Maqedonisë.
Oda Ekonomike e Maqedonisë veriperëndimore ka fajësuar Marrëveshjen për Tregti të Lirë mes Maqedonisë dhe ish-Jugosllavisë që daton nga viti 1996, e që e disfavorizonte Kosovën dhe e cila ishte në fuqi deri para disa viteve.
Ndërkohë, ish-ministri i Ekonomisë, Stevce Jakimovski, deklaroi se tani që Maqedonia dhe Kosova kanë marrëveshje për tregti të lirë në kuadër të CEFTA-s, duhet të sigurohet një bashkëpunim i mirëfilltë afatgjatë, por, sipas tij, balanca vështirë arrihet.
“Marrëveshja për tregti të lirë midis Maqedonisë dhe Serbisë dhe Malit të Zi praktikisht ishte një balancë për tërë shtetin e atëhershëm, ndërsa nënshkrimi i marrëveshjes për tregti të lirë mes Maqedonisë dhe Kosovës nuk do të thoshte se një balancë e tillë do të ekzistonte edhe mes këtyre dy vendeve”, tha Jakimovski.
Në vitin 2008, deri tash, Kosova importoi nga Maqedonia mallra në vlerë prej rreth 170 milionë eurosh, ndërsa nga Kosova në Maqedoni eksportohen mallra në vlerë prej diku rreth 10 milionë euro, që tregon nivelin e ultë të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.