Presidenti i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, pranoi publikisht se mes tij dhe kryeministrit Nikolla Gruevski ekzistojnë qëndrime diametralisht të kundërta rreth çështjes së emrit me Greqinë. Sipas shefit të shtetit Gruevski, po minon negociatat me Greqinë që po zhvillohen me ndërmjetësim ndërkombëtar dhe se në këtë drejtim sillet me shumë papërgjegjësi.
“Për fat të keq, në vend që në takimin e sotëm me kryeministrin t’i harmonizojmë qëndrimet dhe të arrijmë pozicion të përbashkët sa i përket negociatave për çështjen shumë të rëndësishme për vendin, takimi përfundoi me konfirmimin e dallimeve që ekzistojnë mes nesh”.
“Më vjen keq që më duhet publikisht të them se kur bëhet fjalë për njërën nga çështjet kryesore për ardhmërinë e shtetit tonë, kryeministri po ballafaqohet me një lloj konflikti personal politik. Nuk sillet si kryeministër i vërtetë dhe si person i përgjegjshëm për situatat në vend; përkundrazi, ai vetvetes ia ka shënuar rolin e opozitës dhe tenton që t’i shmanget përgjegjësisë për rrjedhën e gjithë procesit”, tha Cërvenkovski.
Presidenti i Maqedonisë, Cërvenkovski, po ashtu njoftoi se kryeministri Gruevski në takimin e sotëm ka refuzuar mundësinë e takimit të serishëm të negociatorëve me ndërmjetësin Nimic. Ai ftoi Gruevskin që bashkërisht të gjejnë zgjidhje, e cila do të jetë e kapshme për të dyja palët.
“Nëse në periudhën prej 3 deri në 4 javë që janë para nesh nuk arrihet ndonjë zgjidhje e kapshme për të dyja palët, për shkak të arsyeve të njohura, zgjedhjet në pranverë si lokale, po ashtu edhe ato presidenciale në Maqedoni , për shkak të zgjedhjeve në Greqi, zgjedhjeve presidenciale në SHBA, minimum një vit do të kemi situatë status quo, që do të thotë se atë vit duhet të harrojmë integrimet në NATO dhe në masë të madhe do të llogarisim në vështirësitë në hapat e mëtejmë të integrimit në BE”, tha Cërvenkovski.
Ndërsa, kryeministri Gruevski pas takimit tha se presin të shohin se cili do të jetë propozimi më i ri nga ndërmjetësi Nimic.
"Na mbetet të presim në periudhën e ardhshme se çfarë propozimi do të ofrojë ndërmjetësi Nimic. Siç është tashmë e njohur, Nimic paralajmëroi se së shpejti do të dalë me propozim pas takimit me Bakojanin dhe Cërvenkovskin", tha Gruevski.
Ndërkaq, presidenti Cërvenkovski përsëriti se Maqedonia gjendet në fazë shumë të rëndësishme të negociatave, e cila do të përcaktojë ardhmërinë e vendit sa i përket euro-integrimeve.