Ish-lideri i LSDM-së, Vllado Buçkovski, tha se është më se e sigurt se Cërvenkovski do të marrë kryesimin e partisë në maj të vitit të ardhshëm, por nuk përjashtohet mundësia që anëtarësia, e jo organet partiake, në të ardhmen të zgjedhë kryetarin e partisë.
"Atmosfera shkon në atë drejtim. Unë jam i bindur se edhe sikur të pranohen ndryshimet statutare, sipas të cilave kryetari do të zgjedhej në zgjedhje të drejtpërdrejta, me mbështetje maksimale, presidenti i shtetit, Branko Cërvenkovski, në maj do të mund të zgjedhet lider i partisë", tha Buçkovski.
Por, analisti politik, Dane Talevski, deklaroi se lideri i ri i LSDM-së, qoftë ai edhe Branko Cërvenkovski, nuk është faktor i mjaftueshëm për konsolidimin e opozitës. Sipas tij, LSDM-ja ka nevojë për reforma të shumta në programin partiak.
"Lideri i ri duhet të ketë mbështetje të fuqishme brenda në parti dhe për këtë qëllim ata që kanë qenë deri më tani në kryesi, duhet që t’i lënë anash interesat e tyre personale. Përveç kësaj, LSDM duhet të ofrojë ptatformë dhe program, i cili do të tërheqë më shumë qytetarë, meqë pushteti aktual ka mbështetje të fortë tek popullata", tha Talevski.
Ndërsa, analisti politik, Xhelal Neziri, tha se PDSH-ja është përfshirë nga një krizë e madhe, meqë paralajmërohet se nga gjiri i kësaj do të formohet një subjekt i ri politik, që do të drejtohet nga nënkryetari i kësaj partie, Imer Selmani.
"Paralajmërimi i Imer Selmanit si një figurë e kapshme për elektoratin se do të formojë një parti të re politike, është një goditje e fortë për partinë e tij të deritanishme, por, në të njejtën kohë, është një freski e skenës politike shqiptare në Maqedoni", tha Neziri, për të konstatuar se subjekti i ri politik mund ta zë vendin e Partisë Demokratike Shqiptare në skenën politike shqiptare.