Ndërlidhjet

Serbia kërkon kornizë ligjore për EULEX-in


Qeveria e Serbisë
Qeveria e Serbisë

Memorandumi në mes të EULEX-it dhe UNMIK-ut nuk është pritur mirë në Serbi. Ky akt është konsideruar si joligjor dhe pa mbështetje. Zyrtarët e lartë të shtetit kanë thënë se prania ndërkombëtare në Kosovë duhet të rregullohet me Serbinë dhe vetëm përmes Këshillit të Sigurimit.

Serbia kërkon të pyetet për EULEX-in dhe nuk pranon nënshkrimin e memorandumit me UNMIK-un.

Beogradi zyrtar në reagimet e bëra me këtë rast ka kërkuar që ky mision të kalojë nëpërmes Këshillit të Sigurimit dhe për këtë të negociohet me Serbinë.

Ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Konuzin, në një intervistë për gazetën Politika, ka thënë se Rusia do të bëjë një demarsh, ndërkaq ministri Vuk Jeremiq ka theksuar se asnjë rikonstruktim i UNMIK-ut nuk mund të jetë i pranueshëm pa vendosur Kombet e Bashkuara.

Ai ka thënë se për një gjë të tillë është ankuar dhe ua ka bërë të qartë edhe diplomatëve gjatë vizitës së tij në Nju Jork.

Një pjesë e serbëve e shohin praninë e EULEX-it si një zbatim të pavarësisë së Kosovës. Por, Jeremiq shpreson se gjatë ditëve të ardhshme do të jetë në kontakt me UNMIK-un dhe se bisedimet do të vazhdojnë edhe për statusin e Kosovës.

"Pas marrjes së mendimit nga Gjykata Ndërkombëtare, e që unë besoj se do të jetë pozitiv, mendoj se do të krijohet një atmosferë ndërkombëtare, në të cilën qeverisja në Prishtinë nuk do të ketë zgjidhje përveç të ulet dhe të bisedojë me Beogradin rreth çështjes së statusit", ka thënë Jeremiq.

Shefi i diplomacisë serbe ka thënë se EULEX-i nuk mund të funksionojë pa Serbinë.

"Ne presim që nuk do të vijë deri te fundi i këtij procesi pa mbështetjen e Serbisë dhe Këshillit të Sigurimit. Ne do të bisedojmë dhe do të flasim për ato që i janë dërguar zotit Zannier. Në fund shpresojmë se do të vijë deri te një marrëveshje që do të konfirmohet në Këshillin e Sigurimit", ka shtuar ministri serb.

Ndërkaq, edhe kryeministri Mirko Cvetkoviq ka thënë se Serbia insiston të jetë pjesë e projektit për zgjidhjen e problemit të Kosovës, por memorandumi nuk është ajo që është kërkuar.

"Qëndrimet e Qeverisë në lidhje me EULEX-in janë të njohura. Ajo ka filluar pa pjesëmarrjen e Serbisë dhe ne insistojmë që të jemi pjesë e këtij projekti dhe insistojmë në atë që zgjidhjet të miratohen. Kjo që ata kanë bërë tani, nuk është pjesë e asaj që kemi kërkuar", ka thënë Cvetkoviq.

Ministri i Mbrojtjes, Dragan Shutanovac, gjatë një vizite në Komunën e Bujanovcit, ka thënë se me një vendim të tillë është duke u shkelur e drejta ndërkombëtare.

"Ky akt nuk ka mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të Kombëve të Bashkuara. Kjo është një rrugë e keqe e zgjidhjes së problemit në Kosovë e Metohi. Nëse kriza nuk zgjidhet në linjën e insistucioneve ndërkombëtare, kam frikë se nuk do të zgjidhet kurrë”, ka thënë ministri Shutanovac.

Analisti Ivan Vejvoda thotë se Beogradi e ka pranuar në njëfarë forme realitetin, por është duke kërkuar rrugë ligjore.

"Beogradi tashmë edhe me Qeverinë e mëparshme ka thënë se nuk ka asgjë kundër misionit të EULEX-it, por se problemi është se nuk ekziston një kornizë ndërkombëtare. Realiteti është pranuar, njerëzit janë atje dhe misioni do të numërojë rreth dy mijë veta, gjykatës, doganierë e të tjerë dhe asgjë s'mund ta ndryshojë këtë. Ajo që është me rëndësi është që ky mision të marrë një formë të pranueshme për të gjithë. Ajo që është mirë, është se kjo paraqet një siguri për të gjithë", mendon Vejvoda.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG