Ndërlidhjet

Serbia e përçarë për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit


Beograd, ndërtesa e Qeverisë
Beograd, ndërtesa e Qeverisë

Partitë politike në Serbi kanë shprehur rezerva për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian. Blloku popullor dhe radikalët kanë kërcënuar presidentin Boris Tadiq se ky do të jetë edhe shkaku i rrëzimit të tij nga posti i tanishëm.


Serbia do të nënshkruajë marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian.

Por, integrimi i Serbisë dhe vlefshmëria e këtij dokumenti është vënë në pikëpyetje nga një pjesë e partive politike, të cilat kanë dërguar mesazhe pakënaqësie.

Ministri Rasim Lajiq, i cili ka qenë duke komunikuar me qytetarët përmes telefonit në kuadër të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e 11 majit, u ka thënë gazetarëve se zëvendëskryeministri, Bozhidar Gjeliq, i bllokut demokratik, do të nënshkruajë menjëherë marrëveshjen.

Ndërkaq, nga ana tjetër, reagimet e bllokut popullor dhe partive radikale i kanë sugjeruar presidentit Boris Tadiq të mos bëhet pjesë e një projekti të tillë.

Dragan Todoroviq, nënkryetar i Partisë Radikale të Serbisë, ka thënë se kështu janë nënshkruar edhe shumë marrëveshje të tjera, por ato nuk janë fuqizuar asnjëherë.

“Populli e ka thënë të vetën. Por, duke pasur parasysh se me këtë gjë Boris Tadiq është duke shkelur Kushtetutën e Serbisë në mënyrën më të rëndë, pas 11 majit kjo do të jetë arsyeja për ndërrimin e tij nga posti i presidentit të Republikës së Serbisë”, ka theksuar Todoroviq.

Ndërkaq, Andreja Mlladenoviq, zëdhënës i Partisë Demokratike të Serbisë, të kryeministrit Koshtunica, ka thënë se presidenti Tadiq nuk është duke nënshkruar asgjë në emër të Serbisë, por mbi marrëveshjen e Stabilizim Asociimit është duke vënë vulën e partisë.

“Boris Tadiq mund t’ia shesë Solanës vetëm atë që është e tij, por kurrë nuk mund t’ia shesë Kosovën dhe kurrë nuk do të pranojmë se nënshkrimi në ofertën e Solanës është nënshkrim i Serbisë. Kjo marrëveshje është një mashtrim, është kundërkushtetuese dhe akt kundërshtetëror”, tha Mlladenoviq.

“Boris Tadiq ka shkelur betimin e tij. Tadiq e Solana sot po nënshkruajnë pavarësinë e Kosovës dhe ne u sugjerojmë që këtë marrëveshje menjëherë ta hedhin në kosh plehrash, sepse Qeveria e re dhe Kuvendi i ri sigurisht do ta zhvlerësojnë nënshkrimin e Tadiqit”, ka thënë Mlladenoviq.

Por, Partia Demokratike nuk është shqetësuar për këto mesazhe nga ish-partnerët dhe opozita.

Shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiq, ka thënë se kjo ofertë tregon se Serbia e ka vendin në familjen evropiane.

“Pas kësaj nuk mund të shkohet mbrapa. Ne do të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian, natyrisht nëse për një gjë të tillë deklarohemi në mënyrë sovrane dhe demokratike në zgjedhjet e 11 majit”, ka thënë ministri Jeremiq.

Nikolla Samarxhiq, nga Partia Liberal-demokratike, thotë se kjo marrëveshje do të duhet të ratifikohet, por tani kërkohet minimumi i mundshëm nga Serbia.

“Kjo marrëveshje do t’i mundësojë Serbisë që t’i hapë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me të kaluarën tonë dhe me të ardhmen tonë”, thekson Samarxhiq.

Megjithatë, Partia Demokratike e presidentit Tadiq ka theksuar se vetë kryeministri Vojisllav Koshtunica ka votuar pro autorizimit të zëvendëskryeministrit Bozhidar Gjeliq, për nënshkrimin e marrëveshjes, kështu që kjo gjë do të jetë valide dhe procesi integrues i Serbisë nuk do të jetë një gjë e dyshimtë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG