Serbia do të organizojë zgjedhjet lokale dhe parlamentare në Kosovë. Por, analistët serbë thonë se ky do të jetë një problem pas pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, ata mendojnë se UNMIK-u ka të drejtë t'i delegjitimojë këto zgjedhje, por nuk do të ishte mirë t'i ndalojë ato. Komisioni i Republikës për Zgjedhjet ka miratuar një akt për organizimin e zgjedhjeve pas vendimit të Qeverisë për një gjë të tillë.
Sonja Brkiq, kryetare e Komisionit të Republikës për Zgjedhjet, thotë se zgjedhjet lokale dhe parlamentare do të organizohen në Kosovë.
"Vendimi i Qeverisë së Republikës është një akt i obligueshëm dhe duke pasur parasysh që është kështu, atëherë Komisioni i Republikës për Zgjedhjet që disa ditë ka shikuar mundësitë e organizimit ose jo të zgjedhjeve dhe është miratuar një dokument që ky vendim i Qeverisë të zbatohet", sqaron Brkiq.
Dushan Janjiq, nga qendra për marrëdhënie ndëretnike në Beograd, thotë se këto zgjedhje është mirë të mos pengohen nga ana e UNMIK-ut, thjeshtë për të parë se kush janë liderët e serbëve të Kosovës, pasi që ata nuk janë zgjedhur kurrë dhe kanë përfaqësuar popullin.
"Sa i përket Qeverisë së Serbisë, mendoj se zgjedhjet lokale i ka vënë në planin e saj të veprimit për ngadalësimin e pavarësisë dhe t'i organizojë në mënyrë institucionale enklavat serbe dhe veriun. Pra, në atë që ministri Samarxhiq e quan një sistem funskional. Nga ana tjetër, ky është tentimi i parë pas vitit 1999 që të organizohen zgjedhjet lokale. Situata ka ndryshuar pas pavarësisë, pasi që më parë zgjedhjet parlamentare janë lejuar nga UNMIK-u, për shkak të Rezolutës 1244. Por, duhet shikuar se ku fiton më së shumti UNMIK-u. Mendoj se është më së miri delegjitimimi i këtyre zgjedhjeve dhe të lejohen të ndodhin. Minusi i vetëm është ndërhyrja, por kjo është e përkohshme, pasi Serbia nuk mund të zbatojë pushtetin", mendon Janjiq.
Ndërkaq, ndihmësja e ministrit për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Branisllava Allendar, ka thënë se vendimi për zgjedhjet ka për bazë ato vende ku serbët nuk kanë dalë në zgjedhje. Sipas saj, pas zgjatjes nga UNMIK-u të mandatit për këto komuna, atëherë është e nevojshme të zgjidhen organet lokale. Sipas kësaj, të gjithë ata që duan multietnicitetin në Kosovë është e nevojshme që të vendoset qeverisja lokale legale. Dhe, ky është një hap drejt kësaj, arsyeton Allendar.
Drejtuesja e Qendrës për Studime Euroatlantike, Jelena Milliq, thotë se organizimi i zgjedhjeve në Kosovë është vetëm një vazhdim i asaj se ndaj kujt duhet të jenë besnikë serbët, Prishtinës apo Beogradit.
"Nuk shoh se një vendim i tillë do të kontribuojë në një afat të gjatë në stabilitet, por një vendim i tillë vetëm do të sjellë një konfuzion shtesë”, shprehet Miliq.
Kurse, analisti Milan Nikoliq thotë se UNMIK-u mund të thotë që nuk i mbështet këto zjedhje dhe që nuk do t'i mbrojë ato, por zgjedhjet nuk mund të ndalohen. Megjithatë, sipas tij, zgjedhjet serbe në Kosovë kanë nevojë për një kontroll ndërkombëtar.
"Nëse zgjedhjet do të mbahen, do të jenë në pajtueshmëri me Rezolutën 1244, pra do të ketë një bazë ligjore, por do të duhej të mbaheshin me rend dhe qetësi. Është e nevojshme që të ketë një intervenim të KFOR-it dhe UNMIK-ut që të mos ketë incidente. Pra, është i nevojshëm një kontroll, varet nëse këtë do ta bëjë OSBE-ja apo UNMIK-u. Megjithatë, ky numër i votave është i vogël dhe nuk mund të ndikojë asgjë", thotë Nikoliq.