Ndërlidhjet

22 KUFOMA TË SHQIPTARËVE KTHEHEN NGA VARREZAT MASIVE NË SERBI


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Pikërisht në katërvjetorin e hyrjes së forcave paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë dhe fillimit të largimit të forcave serbe prej këtej, në kufirin Kosovë-Serbi janë sjellë 22 kufoma të shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë dhe të varrosura më pas në varre masive në Serbi. Grupi i dytë i kufomave të shqiptarëve të zhvarrosur nga varri masiv në Petrovo Selo në Serbi, janë nga rajoni i Drenicës, më saktësisht nga Izbica dhe nga Drenasi apo Gllogovci.
“Sot kemi marrë 22 kufoma të identifikuara nga varreza në Petrovo Selo”, tha Jose Pablo Baraybar, shef i zyrës për të zhdukurit në UNMIK, duke e vlerësuar këtë edhe ky është një hap në procesin e gjatë të kthimit të të gjitha kufomave nga Serbia. Mirëpo, tha Baraybar, sot është dita për të filluar një presion mbi të gjitha palët e përfshira në këtë proces, me qëllim të grumbullimit të informacioneve për vendvarrimet e të zhdukurve, gjetjen e atyre vendeve dhe identifikimin e të vrarëve, pasi vetëm në këtë mënyrë ne mund t’ju ndihmojmë familjeve, që ta tejkalojnë situatën e rëndë nëpër të cilët kanë kaluar me më pak trauma.
Në këtë kuadër, zoti Baraybar ka kritikuar autoritetet serbe për ngadalësinë me të cilën i janë qasur procesit:
"Ne nuk jemi të kënaqur me shpejtësinë e procesit, pasi deri më tani 67 mbetje të vdekurish janë kthyer nga Serbia, që do të thotë se kjo është 6 për qind e kufomave që ende ndodhen në Serbi”, tha Baraybar, duke shprehur pakënaqësi sidomos me Institutet e Mjekësisë Ligjore të Serbisë, pos Nishit.
Zyra e UNMIk-ut për të zhdukurit ka dërguar 155 grumbuj shënimesh për kufomat që ndodhen në Batajnicë, ndërsa janë kthyer vetëm 37 kufoma, që do të thotë se edhe 118 raste ende po presin identifikimin.
Ai tha se shpresonte që ky proces të përshpejtohej për të shkurtuar edhe agoninë e familjarëve të të zhdukurve, pasi informacionet çojnë drejt faktit se të zhdukurit mund të jenë të vdekur.
Zoti Baraybar tha se në Serbi ndodhen edhe rreth 1 000 kufoma shqiptarësh që janë zhvarrosur nga disa varre masive, që është më se një e treta e numrit të përgjithshëm të të zhdukurve.
"Aktualisht në listat tona kemi 3 961 persona që konsiderohen të zhdukur, prej të cilëve 3 108 janë me origjinë shqiptare”, tha Baraybar, sipas të cilit numri i përgjithshëm i kufomave të kthyera në familjet e tyre është 183.
Sidoqoftë, sot në Merdare, për dallim nga herët e tjera nuk ka pasur familjarë për t’i pritur kufomat dhe zoti Baraybar tha se familjarët ishin njoftuar, por nuk e dinte arsyen e mosardhjes së tyre.
Herën e kaluar nga Serbia u sollën 37 kufoma, shumica nga Meja e Gjakovës, të cilat u varrosën muajin e shkuar po në Mejë.
XS
SM
MD
LG